Lajme

Gjendet i vdekur në një bodrum biznesmeni nga Gjilani që u zhduk para një muaji

Musah Hamiti, biznesmeni 66-vjeçar që u shpall i zhdukur para një muaji, është gjetur i vdekur në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan Kamenicë.

Policia e Kosovës gjatë ditës ka njoftuar për gjetjen e një personi pa shenja jete në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan-Kamenicë.

“Ju njoftoj se me datë 26.02.2024 rreth ores 22:37, policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan kanë marrë një informatë se në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan -Kamenicë është vrejtur një person i cili dyshohet të jetë i vdekur. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante, ku me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Gazeta Insajderi ka mësuar përmes burimeve të saja se personi i vdekur është biznesmeni Musah Hamiti, i cili u shpall i zhdukur përpara një muaji.

Biznesmeni nga Gjilani, Musah Hamiti ishte raportuar i zhdukur nga familja e tij më 10 janar të këtij viti. Po ashtu ishte bërë me dije se me vete kishte së paku 80 mijë franga.

Ky burim ka thënë për Insajderin se ende s’dihet nëse ka ndonjë lidhje me dy të dyshuarat Silvana Dulellarin dhe Marinela Markoviç. Dy të dyshuarave iu është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin se janë të përfshira në rastin që hetohej si zhdukje e Hamitit.