Lajme

Ky është i dyshuari që goditi me veturë babanë dhe vëllain e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Resinoc të Lipjanit, ku një person dyshohet se është përfshirë në një konflikt familjar me babanë dhe vëllain e tij. Pasi palët përfunduan në stacion policor, 20-vjeçari dyshohet se ka goditur qëllimisht viktimat dhe më pas të njëjtit ka tentuar t’i sulmojë me një kaçavidë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për G.Sinani [identiteti i të cilit s’do të publikohet për të mos cenuar privatësinë e viktimave].

Mosmarrëveshja mes palëve ka vazhduar edhe në afërsi të stacionit policor në Lipjan, ku G.Sinani dyshohet se pasi goditi me veturë babanë dhe vëllain ka tentuar që njërin prej tyre ta godas edhe me kaçavidë.

Për të futur situatën në kontroll kanë reaguar Policia, me ç’rast njëri prej zyrtarëve policorë ka shtënë me armë në ajër dhe kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin.

Viktimat janë dërguar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

I dyshuari është intervistuar nga organet e hetuesisë, teksa njësitë policore kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti me veturën e tij ka goditur qëllimisht dy viktimat meshkuj kosovarë, e më pas i dyshuari ka dalë nga vetura me një kaçavidë në dorë dhe ka tentuar të godas njërin nga viktimat e shtrirë në tokë. Një nga zyrtarët policor, gjatë ndërhyrjes ka shtënë në ajër dy herë me armë zyrtare, kështu që situata është futur në kontroll. Viktimat janë dërguar në QKUK- për tretman mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.