Pagat e ulëta, Hoti: Pas datës 20, shumica e policëve mbesin me nga 2 euro në xhep
Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore… dhe Peticione ka folur për gjendjen e rëndë të pjesëtarëve të PK-së, për shkak të mungesë së kushteve dhe pagave të ulta, raporton Ekonomia Online
Në këtë mbledhje është shqyrtuar peticioni i Sindikatës së Policisë së Kosovës, i cili ishte dorëzuar në Kuvendin e Kosovës qysh në korrikun e vitit 2023.
Hoti ka përmendur një rast, kur një polic ka humbur jetën derisa ka qenë në detyrë në regjionin e Pejës. “Kur e kemi kontrolluar një polic që ka rënë gjatë kryerjes së detyrës i ka pasur 1 euro e 70 centë në xhep. Edhe tash ju them me bindje të plotë që 80-90 për qind e policëve, pas datës 20 të muajit e tutje keni me i gjet me 2 euro në xhep; sa për një byrek edhe për një kafe”, u shpreh Hoti.
“Shikoni ku ushqehen policët! Jemi bërë, edhe pse jemi institucioni i vetëm i sigurisë në vend, jemi bërë me na trajtu (si rast social) qebaptoret, dyqanet: ‘hajt se polic është, bëja më lirë’. Shkon e han një doner, thonë ‘hajt ajronin e ki pa pare’. Ju lutemi, shikojeni ku kemi ardhur”, ju është drejtuar ai, anëtarëve të Komisionit Parlamentar.
Një tjetër shqetësim që e ngriti Hoti ishte dhe çështja e 900 zyrtarëve të Policisë së Kosovës që punojnë në rroba civile ose janë staf civil. “Me rregullore është kthyer që edhe ata janë punonjës të Policisë së Kosovës, por atyre prej ligjit të ri të pagave nuk ju është ofruar shtesa sikurse policëve që e kanë marrë tash në fund, rrezikshmëria”.
“Ata janë me neve çdokund, ata janë pjesë përbërëse e jona, edhe në kontrollet në veri, edhe në jug, edhe ku ka nevojë ata zyrtarë janë në shtëpinë tonë. Ju kisha lutë me i pasë parasysh dhe me i pasë prioritet edhe këta”.
“Ne jemi 24 orë në detyrë… Në udhëzimin administrativ ka qenë e paraparë paga e 13-të, që është një akt nënligjor i rregulluar. Kanë filluar që të hyjnë duart edhe në anën ligjore në Policinë e Kosovës, që është shumë shqetësuese”.
Aty kanë qenë edhe dy pika të përfshira, si shujta ditore dhe një pagë në fund të vitit si shpërblim për aktivitetin e mirë që e ka pasur polici.
“Ajo pagë i takon sepse punon për atë pagë, nuk është që po i falet ajo pagë. E ka thënë këtë edhe vendimi i Gjykatës Supreme, mendimi juridik ka qenë se kjo i takon Policisë. Edhe aty kanë ndërhyrë, domethënë në udhëzimin administrativ 03.02.23, dy prej pikave janë hequr padrejtësisht”, shtoi Hoti.
“Na kemi menduar se ju si deputetë edhe qeveria jonë mundohet me bë diçka më mirë, jo me heq edhe diçka çka është. Jam zëri i 9 mijë policëve, ata më kanë dërguar mua këtu për me ju thënë: ‘Ju lutem, rregullojeni këto çështje”, përfundoi Hoti