Lajme

Si shkoi operimi i 23 vjeçares që u lëndua nga rrëzimi i kulmit në Prishtinë? Flasin nga Intenziva

23 vjeçarja që ka pësuar lëndime nga rrëzimi i kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, po vazhdon trajtimin në Mjekimin Intenziv Qendror (MIQ). Për gjendjen e saj, ka folur shefi i MIQ-it, Shaqir Uka.

Ai ka deklaruar se mbrëmë 23 vjeçarja iu është nënshtruar një intervenimi kirurgjik për shkak të lëndimeve që ka pësuar. Si pasojë e lëndimeve, ajo ka pësuar gjakderdhje në indin trunor dhe trajtimin po e bën e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura e frymëmarrjes.

Uka ka deklaruar se në orët në vazhdim do t’i bëhen ekzaminime shtesë për të bërë vlerësim definitiv.

“Pacientja për të cilën ju referoheni është një paciente 23 vjeçare, e cila ka marrë lëndime dje në orët e pasdites në afërsi të ndërtesës së Komunës së re. Është sjellë në Qendrën Emergjente fillimisht për shkak të lëndimeve që ka pësuar në regjionin e kokës dhe lëndimeve të tjera. Pas ekzaminimeve laboratorike dhe rëntgenologjike, pacientja është rivlerësua pas disa ore dhe për shkak të lëndimeve që ka pësuar është dashur që t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik nga ana e ekipes së neurokirurgëve. Pas intervenimit kirurgjik, pacientja është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në Njësinë e Mjekimit Intenziv Qendror (MIQ), është sjellë pak minuta pas orës 23:00 dhe vazhdon të qëndrojë edhe më tutje e fjetur me barna e varur nga aparatura e frymëmarrjes dhe e mbuluar me terapinë standarde që bëhet për lëndimet e tilla”, ka deklaruar Uka.

Krahas lëndimeve në kokë e gjakderdhje në indin trunor, pacientja ka lëndime edhe pjesë torakale dhe në duar.

“Pacientja i ka lëndimet kryesisht në regjionin e kokës, gjakderdhje në regjionin e indidit trunor. Kjo ka qenë edhe arsyeja që është dashur me iu nënshtru intervenimit kirurgjik. Ka edhe lëndime të një unazës së pjesës së qafës dhe dy unazave të pjesës torakale, gjegjësisht pjesës së gjoksit. Ka edhe një lëndim të kockës së dorës së djathtë. Janë duke u kryer ekzaminimet shtesë, analizat laboratorike dhe pritet që në orët e ardhshme të bëhet vlerësimi definitiv, eventualisht për intervenime të tjera, nëse ka me pas nevojë”, u shpreh Uka./EO