Incident si në filma: I dyshuari për dhunë në familje kërcënon me thikë policët, ata ia drejtojnë armët
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Kështu ka ndodhur edhe të dielën në fshatin fshatin Milloshevë në Obiliq, ku Policia po intervenonte në një rast të dhunës në familje.
Siç mëson Sinjali, posa Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, pas mesnatës, është përballur me të dyshuarin 44-vjeçar, i cili me një thikë në dorë ka kanosur seriozisht zyrtarët policorë.
Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari i ka kërcënuar policët duke ua drejtuar thikën përkundër urdhrave që të zmbrapset.
Për ta vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë janë detyruar që t’i nxjerrin armët zyrtare dhe ia kanë drejtuar të dyshuarit, derisa i njëjti e ka larguar mjetin e mprehtë dhe më pas e ka dorëzuar.
Njësia policore ka arritur që ta shoqërojë të dyshuarin në stacion policor e po ashtu edhe palët e përfshira në incident.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Kanosje”.