Lajme

Sulmohet seksualisht një 32-vjeçare, i dyshuari e rrah pasi refuzoi marrëdhënie intime dhe ikë

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ndaj vajzave e grave në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Të dyshuarit në shumicën e rasteve janë persona të moshës madhore, të cilët shfrytëzojnë çfarë situate me qëllim keqpërdorimin e abuzimin e viktimave, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur të dielën në Kaçanik, ku një 32-vjeçare dyshohet se është sulmuar fizikisht dhe seksualisht nga një person.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka nisi pasi viktima ishte duke pritur autobusin në magjistralen Kaçanik – Ferizaj dhe i dyshuari i ofroi ndihmë, duke e marrë për ta transportuar në destinacionin që kërkoi.

‘Ndihma’ që ia ofroi i dyshuari iu kthye në makth viktimës.

Teksa ishin në lëvizje, i dyshuari e ka devijuar rrugën dhe e ka futur në një rrugë që të çon në një fshat dhe aty e ka shfrytëzuar rastin, duke kërkuar nga viktima të kryejnë marrëdhënie seksuale.

Sipas të njëjtave burime, rezistenca e 32-vjeçares bëri që i dyshuari të zmbrapsej, por megjithatë i njëjti vazhdoi me veprimet e tij, duke e sulmuar seksualisht viktimën.

Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari edhe e ka sulmuar edhe fizikisht atë dhe e ka braktisur në mes të rrugës.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe për ta identifikuar të dyshuarin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Sulm seksual”