Lajme

Dy fëmijë 11 dhe 14 vjeç në mesin e të lënduarëve nga shpërthimi i bombolës në Kçiq, një nga ta mërgimtare

Pasditen e djeshme rreth orës 16:30 si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, kanë pësuar lëndime 15 persona të familjes Brahimi.

14 nga të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK gjersa një nga ta u trajtua në Spitalin e Mitrovicës e pastaj u lirua në shtëpi.

Në mesin e të lënduarëve janë edhe dy fëmijë të moshave 11 dhe 14 vjeçare, bënë të ditur familjarët për “Mitropol”.

Një nga këta fëmijë është mbesa nga Suedia e cila erdhi për vizitë tek shtëpia e gjyshes bashkë me të ëmën e cila siç bënë të ditur familjarët për mitropol ka pësuar djegie nga shpërthimi.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka bërë të ditur për “Mitropol” se të lënduarit janë duke u trajtuar në klinika të ndryshme të QKUK-së.

Fazliu tha se katër nga të lënduarit janë operuar në sallat emergjente, kurse tek të tjerët janë kryer ndërhyrje në sallën e vogël të ndërhyrjeve kirurgjike, Shërbimin e Reanimimit dhe atë Kirurgjik, të po së njëjtës klinikë.

“4 pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia. 8 pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikqyrjen nga stafi shëndetësorë.
2 në Kirurgjinë Abdominale dhe 1 do të transferohet në Kirurgji Torkale”, tha ai.

Fazliu gjithashtu njoftoi se për të lënduarit do të ofrohet mbikqyrje shëndetësore 24-orëshe./Mitropol/