KryesoreLajme

12 të lënduarit nga bombola në Kçiq janë në SHSKUK, 1 nga ta rrugës, 1 person është pa vetëdije

Një bombolë gazi ka shpërthyer sot rreth orës 16:30 në një shtëpi në Kçiq të Mitrovicës me ç’rast 13 persona të një familjeje kanë pësuar lëndime, raporton “Mitropol”.

”Mitropol” raportoi se rasti kishte ndodhur në shtëpine e familjes Brahimi, me ç’rast përveç lëndimeve pati edhe dëme të mëdha në infrastrukturën e shtëpisë.

12 nga të lënduarit siç mëson “Mitropol” janë në Emergjencën së SHSKUK-së, gjersa familjari i 13 ndodhet rrugës drejt SHSKUK-së dhe po pritet të arrij atje.

Këtë e konfirmoi për “Mitropol” edhe drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Dr. Laura Nushi e cila tha se tash ndodhet në QKUK.

“Unë bisedova me doktorin kujdestar, vetëm një nga të lënduarit momentalisht është pa vetëdije, gjersa të tjerët kanë vetëdije mirëpo situata mund të ndryshojë”, tha ajo ekskluzivisht për “Mitropol”.

Rastin për “Mitropol” e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë së Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti.

“Rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.”, tha ai.

Pas rastit në vendin e ngjarjes tek shtëpia e familjes Brahimi në Kçiq doli edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza bashkë me drejtorin për Emergjenca, Bahtir Maxhuni dhe bashkëpunëtorët.

Bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombolë gazi./Mitropol