Gjuajtje me armë zjarri në Veri, një person goditi me veturë një polic të Kosovës
Sot rreth orës 12:40 në Suhodoll të Veriut të Kosovës, një person ka goditur me veturë një Polic të Kosovës dhe veturën zyrtare të policisë. E në vetëmbrojtje Policia ka gjuajtur me armë zjarri të dyshuarin.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, zëvendës drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Elshani tregoi se policia kishte bërë përpjekje për ta ndaluar një veturë pasi që dyshohej se kishte narkotikë, por i njëjti ka sulmuar policinë e Kosovë.
“Rreth orës 12:40 në Suhodoll derisa policia kishte bërë përpjekje për të ndaluar një veturë e cila dyshohej se kishte narkotik, i njëjti e ka godit me veturë policin i cili ishte në këmbë e poashtu edhe veturën e policisë”, ka thënë Elshani.
Elshani thotë se i dyshuari është munduar të iu kundërvihet policisë, me ç’rast ka goditur me veturë njërin pjesëtar të Policisë që ishte në këmbë. Sipas tij nuk ka të lënduar.
“Në përpjekje për të larguar sulmin nga vetja, policia ka shtënë me armë zjarri por nuk ka të lënduar. Personi i dyshimtë ka lënë veturën në vënd të ngjarjes dhe ka ik në këmbë. Kemi informacione për të dyshimtin dhe besojm se kemi të bëjmë me rast me marihuanë. Policia ende është në vend të ngjarjes dhe po merret me rastin”, ka thënë Elshani.