Dhuna ndaj burrit në Rahovec, bashkëshortja ia çau kokën me digitronin e TV-së
Rastet e dhunës në familje janë të shpeshta në vendin tonë, por rrallë ndodh që viktima të jenë burrat. Por ndryshe ka ndodhur së fundmi në një familje në rrugën ‘Dëshmorët e Demokracisë’ në Rahovec, ku një grua dyshohet se e ka bërë për spital bashkëshortin e saj.
Sinjali ka mësuar detaje nga ngjarja ku janë përfshirë çifti të cilët përfunduan në Polici.
Bazuar në dëshminë e 42-vjeçarit, derisa ishin duke qëndruar në shtëpinë e tyre, pas një konflikti bashkëshortja e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me telekomandën e televizorit. Si pasojë e kësaj ai ka marrë lëndime në kokë, ku ka pësuar çarje dhe i është nevojitur tretman mjekësor.
Si rezultat i denoncimit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 43-vjeçares t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.
“Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshortja e tij e dyshuara femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.