Lajme

E dhimbshme: Gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij profesori mitrovicas

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Mitrovicë, ku një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në rrugën ‘Safet Boletini’, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se viktima është profesori dhe inxhinieri, Halit Morina, 69-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë nga djali i të ndjerit, i cili e kishte gjetur viktimën pa ndjenja.

Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Po ashtu lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët pas marrjes së informacioneve kanë konstatuar se nuk bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë.

Lajmin e dhimbshëm për vdekjen e të ndjerit e kanë dhënë edhe familjarët e tij, të cilët kanë njoftuar se ceremonia mortore është mbajtur sot me namazin e drekës në varrezat e Shipolit në Mitrovicë.