Flet prokurori i rastit për vdekjen e 34-vjeçares te një hotel në Prishtinë
Në orët e para të mëngjesit të së enjtes një 34-vjeçare nga Gjakova është gjetur e vdekur te një hotel në fshatin Suhadoll në magjistralen Prishtinë-Lipjan, derisa siç raportoi Gazeta Online Reporteri.net paradite, para se të gjendej e vdekur, ajo në hotel po qëndronte bashkë me të dashurin e saj.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se lidhur me rastin ka dyshime për vetëvrasje.
“Ka dyshime për vetëvrasje, s’mundem të them më shumë pa u kryer hetimet”, tha Prokurori Hamiti për Reporteri.net.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj tha se trupi i 34-vjeçares është dërguar në IML për obduksion dhe rasti po hetohet në koordinim me Policinë.
“Prokurori kujdestar është njoftuar lidhur me këtë rast, i njëjti ka dalë në vendin e ngjarjes. Rasti është iniciuar “hetim mbi vdekje”, ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në IML për t’iu bërë obduksioni. Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim më policinë”, tha Ulaj për Reporteri.net.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se i dashuri i saj në polici ka deklaruar se gruaja nga Gjakova u hodh nga dritarja e hotelit, pas një fjalosje mes çiftit.
34 vjeçarja nga Gjakova gjendet e vdekur te një hotel në Prishtinë, aty po qëndronte me të dashurin e saj
Viktima, emër i njohur për redaksinë, është vajza e një familje të njohur afariste në qytetin e Gjakovës, derisa vetë ishte një specialiste në estetikën e thonjve.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përmes zëdhënëses për Rajonin e Prishtinës.
“Sot në stacionin policor të Graqanicës është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një femër 34 vjeç, vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, ka konfirmuar për Reporteri.net, Flora Ahmeti.