Lajme

Hajdutët grabisin shtëpinë e gabuar, kthejnë mallrat dhe u kërkojnë falje pronarëve

Një ngjarje aspak e zakontë ka ndodhur në Itali.

Mbrëmjen e së martës, 15 nëntor, rreth orës 20:30, katër persona të mbuluar me kapuç hynë fshehurazi në një shtëpi ku ndodheshin dy të moshuar.

Hajdutët mbyllën çiftin në një dhomë duke i kërcënuar me armë dhe levë. Pasi mbyllën familjen në dhomë ata u vërsulën në bodrumin e shtëpisë duke kërkuar, me sa duket, për diçka specifike.

Por ata e kuptuan se në bodrum kishte vetëm kuti të vjetra dhe u rikthyen në dhomën ku kishin mbyllur çiftin e të moshuarve.

Ata i shpjeguan familjes se ishin të bindur që shtëpia i përkiste një avokati të njohur.

Por kur e kuptuan se kishin ngatërruar adresë, hajdutët i kërkuan falje të moshuarve, madje i kthyen edhe disa xhevahire që kishin gjetur në shtëpi.

Madje njëri prej tyre u rikthye në bodrum dhe pastroi rrëmujën, sipas la nazione.

Përveç frikës së madhe, familja ishte e padëmtuar. Policia e Firences po heton tashmë historinë dhe rastin e çuditshëm të hajdutëve.