Lajme

Kjo është pronarja e depos në Leposaviq ku u gjetën mallra të kontrabanduara, Policia vazhdoi aksionin edhe sot

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit me kërkesë të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Njësitin Anti-kontrabandë nga Dogana e Kosovës, të enjten dhe sot kanë kryer një operacion kundër kontrabandës në Leposaviq, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se depoja e shitores e cila është cak i bastisjes është në pronësinë e 55-vjeçares, Goriça Tomoviq, e cila dyshohet se ka konsumuar veprat penale ‘Tregti e ndaluar’ dhe ‘Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit të enjten kanë gjetur dhe sekuestruar mallrat si në vijim:

93 pako cigare me nga 25 boksa të llojit Marlboro, LM, Winston, Davidov.
71 gajbe birra e llojit tuborg x 20 copë.
28 pako -Limenka Tuborg x 24 copë.
58 pako alkool Vranac x 6 copë.
27 pako Alkool Rubin x 6 copë.
45 pako birra zajeqar x 24 copë.
Ndërsa sot Policia njofton se në depon e shitores janë gjetur dhe sekuestruar nga Dogana e Kosovës mallra ushqimore, kryesisht pije jo alkoolike dhe gjëra tjera ushqimore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.