Lajme

“Është dasht mi majt ato letra zotni”, Nuredin Lushtaku e Sami Lushtaku ‘përplasen’ në gjykatë

Prishtinë – Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku ka thënë se në zonën e tij numri i veteranëve është i saktë dhe se për këtë e merr përgjegjësinë e plotë.

Këtë qëndrim Lushtaku në cilësinë e dëshmitarit e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykim për rastin e njohur si “Veteranët”, ku akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dëshmisë, Lushtaku ka thënë se trupi gjykues nuk mund asnjëherë të verifikojë se kush ka qenë ushtar e kush jo.

“Menoj që numri është i saktë dhe nuk ka asnjë rast që mendoj që duhet mu dyshu. Unë e thash edhe më herët e kisha marrë përgjegjësinë komplet. Kështu që me dëshirën ma t’madhe, po kjo s’varet prej meje, dmth që Nura të lirohet nga kjo pjesë e aktakuzës”, ka thënë Lushtaku,

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Drenicës ka thënë se aplikacionin për kategoritë e dala nga lufta është dashur ta nënshkruajë komandati i Zonës Operative dhe hierarkia, nga komandanti, bataljoni, brikada.

Lushtaku ka thënë se ai kishte bërë vetëm pjesërisht vlerësimin e aplikacioneve.

“Kemi fillu realisht, unë kam qenë në atë pjesë në burg, s’kom pas mundësi mi verifiku të gjithë, pjesërisht po”, tha ai.

Ai ka pohuar se në zonën e Drenicës kishte pasur edhe aplikacione nga persona nën moshën 18 vjeç.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Bujar Shala i cili po ashtu ka qëndruar pranë deklaratave të dhëna më parë në gjykatë dhe prokurori.

I njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Nuredin Lushtaku se a ka pasur vendim se ai është emëruar anëtar i Komisionit, fillimisht ka thënë se “sa e di unë ni autorizim ka qenë”, e më pas ka thënë se nuk është i sigurt dhe se kjo nuk i kujtohet.

Pas kësaj, i akuzuari Lushtaku ka reaguar duke thënë se nuk është e vërtetë që kjo nuk i kujtohet.

“Sa është me kujtes kjo. Ti je kanë zyrtar që është dasht mi majt ato letra zotni. Nëse s’të kujtohet ty atëherë i kam unë pra procesverbalet dhe të gjitha nëse si ki ti edhe i sheh. Nuk osht e vërtetë që si kujtohet”, tha i akuzuari Nuredin Lushtaku.

Tutje, dëshmitari Shala ka sqaruar se këshillat ligjore i kanë marrë nga Zyra Ligjore e Kryeministrit.

Ai ka thënë, se zinxhiri komandues që kanë marrë pjesë në verifikimin e aplikacioneve në të gjitha zonat ka qenë me pagesë, pra kanë pasur mëditje nga Zyra e Kryeministrit.

I njëjti ka thënë se ai s’ka qenë i autorizuar që të bëjë audio-incizimet e mbledhjeve të komisionit, por që këtë e kishte bërë për vete në mënyrë që mos të ketë vërejtje në procesverbale.

Dëshmitari Shala tha se ai nuk di asnjë rast që Komisioni Qeveritar ka shqyrtuar ndonjë aplikacion dhe se këtë përgjegjësi sipas tij e ka pasur zingjiri komandues.

Ai ka shtuar se në secilin aplikacion ka qenë paragrafi ku është sqaruar se nëse jepen të dhënat e rrejshme do të ndiqet sipas ligjit dhe se përgjegjësia bie direkt mbi aplikantin.

Sipas tij, kanë qenë afërsisht 22 mijë ankesa por që nuk e di se sa prej tyre janë aprovuar.

Dëshmitari Hysni Gucati nuk ka prezantuar në seancë pasi ka disa kufizime nga Gjykata Speciale si i liruar me kusht nga burgu