Lajme

Prishtinë: Punëtori i kompanisë së ndërtimit rrëzohet nga një lartësi, dërgohet me lëndime të rënda në QKUK

Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët. Një rast i tillë ka ndodhur sot në një punishte, në rrugën “Gjergj Balsha” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, një punëtor i kompanisë “N.N.T Çlirimi” është rrëzuar nga një lartësi, teksa ishte duke punuar në punishten e kompanisë “Dijari Estate” dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Burimet brenda QKUK-së, kanë bërë me dije se punëtori 27-vjeçar është dërguar në këtë qendër, ku iu është nënshtruar operimit për shkak të plagëve të rënda që ka pësuar në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët bashkë me Inspektorët kanë dalë në vendin e punës për t’i kryer ekzaminimet e nevojshme lidhur me rastin dhe tashmë është arrestuar një person i dyshuar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetimi për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sinjali ka kontaktuar edhe pronarin e “Dijari Estate”, i cili e ka konfirmuar rastin dhe ka bërë me dije se kompania “Çlirimi” ka qenë e kontraktuar për të kryer punimet në punishten e kompanisë së tij