Kjo është zyrtarja e Prokurorisë që përfundoi në ndalim policor, dyshohet se e kërcënoi një person
Gazeta Sinjali raportoi sot për një incident që ka ndodhur të mërkurën në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku një zyrtare e këtij institucioni, po dyshohet se e ka kërcënuar një person. E dyshuara ndodhet në ndalim policor dhe tashmë është zbuluar identiteti i saj.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se zyrtarja e Prokurorisë që po dyshohet për këtë rast është Sabrie Osmani, ndaj të cilës kanë nisur hetimet, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Kanosje”.
Sipas informacioneve të para që ka Sinjali, që pritet të konfirmohen pasi të sigurohen provat e nevojshme, zyrtarja e dyshuar është përfshirë në një konflikt verbal me një person në një zyrë të Prokurorisë.
Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, zyrtarja e dyshuar e PTh-së është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë që ka ndodhur dhe ndër të tjera, e ka mohuar ta ketë kërcënuar palën tjetër.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se hetuesit policorë kanë intervistuar edhe dëshmitarë lidhur me rastin, të cilët kanë qenë në afërsi të zyrës ku dyshohet se plasi sherri, për motive akoma të panjohura.