Burri nga Prizreni e rrah gruan me bisht të xhokerit për pastrim, ajo e denoncon në Polici
Çdo ditë në vendin tonë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga familjarët e tyre. Si pasojë e dhunës, gratë kërkojnë ndihmë nga organet e rendit, por edhe ndihmë mjekësore në spital shkaku i lëndimeve të marra, raporton Gazeta Sinjali.
Mbrëmë pak para mesnatës një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, pasi e njëjta kishte lëndime trupore të cilat dyshohet se ia shkaktoi bashkëshorti i saj.
Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore të cilët kanë marrë deklaratën e viktimës. 30-vjeçarja ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj, ky i fundit e ka sulmuar fizikisht duke e rrahur me bishtin e xhokerit që përdoret për pastrimin e dyshemesë.
Ndërkohë i dyshuari ka rënë në prangat e Policisë dhe është shoqëruar për në stacion policor që të intervistohet lidhur me rastin.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj prizrenasit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.