“Rreziku për një Luftë të Tretë është shmangur – Kosova të ketë kujdes në deklarime”
Polonia u godit të martën mbrëma nga një raketë ruse.
“Dridhjet” e saj i ndjeu mbarë bota, derisa më pas dolën sqarime për motivin e hedhjes së saj.
Presidenti polak, Andrzej Duda, tha se raketa që ra në vendin e tij dhe vrau dy persona ishte “ndoshta një incident fatkeq”.
Eksperti i sigurisë në Kosovë, Fadil Kajtazi, vlerëson se një “Luftë e Tretë Botërore” është evituar.
“Rreziku nga një Luftë e Tretë Botërore është shmangur. Kjo do të kishte qenë e mundshme sikur luftimet në Ukrainë të kishin rrjedhë tjetër, sikur rusët të avanconin dhe NATO të vendoste një intervenim të drejtpërdrejtë. Tani gjërat kanë marrë një rrjedhë tjetër që e shmang në konflikt të këtij niveli”, tha Kajtazi.
Në anën tjetër ai theksoi se me fillimin e luftës në Ukrainë ka nisur edhe një konflikt mes NATO-s dhe Rusisë.
“Në një far forme, një konflikt ekziston, për faktin se NATO është duke e furnizuar Ukrainën me armatim modern. Kjo nënkupton një implikim indirekt në këtë luftë, gjë të cilën edhe presidenti Vladimir Putin e ka theksuar disa herë. Ajo që është e rëndësishme, përplasje të drejtpërdrejta ushtarake të Rusisë me vendet e NATO-s nuk do të ketë, dhe kjo për disa arsye: së pari, çdo veprim ushtarak në drejtim të vendeve të NATO-s, ka edhe koston apo rrezikshmërinë e përdorimit të arsenalit bërthamor; së dyti, lufta në Ukrainë ka dëshmuar se armatimi konvencional i Rusisë lë shumë për të dëshiruar në raport me atë të vendeve të NATO-s; së treti, sistemet ruse të vëzhgimit dhe lajmërimit, si ato tokësore dhe ato nga sateliti, janë dëshmuar jo efikas. Këto sisteme, në luftën moderne determinojnë shumë çka. Së katërti, kemi parë se logjistika ruse gjithashtu ka dështuar të jetë në nivel të mbarëvajtjes së operacioneve”.
“Këta faktorë dhe faktori kryesor ai moral, janë në disavantzh të ushtrisë ruse për t’u përballur në ndonjë konflikt me vendet e NATO-s. Shto kësaj edhe faktin se ushtria ruse e cila pësoi debakël në Ukrainë ishte e përbërë nga profesionistët, ndërsa në rast të përfshirjes në konflikt me NATO-n do të duhet pesëfishim i sasisë si të trupave ashtu edhe të pajisjeve dhe sistemeve, atëherë gjasat janë minimale. Kjo u kuptua nga dështimi i mobilizimit të komponentës rezervë e cila u shpall nga presidenti Putin, e që nuk arriti të përmbushet as në nivelet 30%”, theksoi ai.
Fadil Kajtazi i cili njihet ndryshe edhe si njohës i mirë i armëve tha se raketa i takon familjes “Iskander 9K720”, derisa ka folur për profilin e saj dhe mënyrën e aktivizimit.
“Raketat e rrezes së mesme dhe të gjatë veprimi me të cilat Rusia po e godet Ukrainën, e të cilat u bënë debat i incidentit të mbrëmshëm janë kryesisht nga familja “Iskander 9K720, e cila është raketë bredharake. Kjo raketë është e prodhuar në versionet M-M723, K-9M728, dhe K-M729. Raketa lëshohet nga platforma lëvizëse tokësore e montuar në kamion, mundë të mbartë mbushje konvencionale dhe bërthamore. Mbushja konvencionale përbëhet prej 700 kilogramëve, e cila mundë të jetë thërrmuese (kaset) depërtuese dhe termobarike. Distanca që përshkon kjo raketë është mbi 500 kilometra”.
“Rusia posedon rreth 160 njësi të pajisura me këtë sistem. Së dyti, është raketa aero-balistike ajër –tokë H-47M2 Kindzhal e cila arrin distancë deri në 2000 kilometra dhe ka një shpejtësi hipersonike prej 12 mah. Është në përdorim nga viti 2017, dhe lansohet nga aeroplani bombardues Tu-22M3 dhe ai gjuajtës MiG-31. Vendet e NATO-s, e disponojnë këtë armatim, i cili është edhe më cilësor si edhe më efikas”, theksoi ai për Klankosova.tv
Derisa për ekspertin tjetër të sigurisë, Drizan Shala, situata mund të eskalojë. Ai për Klankosova.tv se cak i radhës pas Ukrainës mund të jenë Polonia dhe Moldavia.
Gjithashtu parashikon se Bjellorusia mund të hyjë në konflikt me këto shtete.
“NATO do të reagojë, Polonia por edhe Moldavia janë targete sepse nëse shkon situata e atillë Bjellorusia do të hyjë në një konflikt me shtete përkatëse meqë kemi dislokim të trupave në ato pjesë nga Rusia. Rusisë i duhet Bjellorusia për aktin final të frontit kundër Kievit dhe marrë parasysh fuqinë e saj ushtarake mund të jetë në favor të Rusisë në këtë fazë”, tha Shala.
Sipas tij në katër muajt e ardhshëm janë përcaktuese.
“Pra kemi para vetes 4 muaj të ardhshëm, vendimtarë, Evropa jashtë luftës ose Evropa në luftë me Rusinë”, theksoi ai.
“Situata tanimë në Evropë do të mund të eskalojë duke konsideruar faktorin natyrë dhe kohë që po tenton Rusia ta përdorë meqë kemi hyrë në prag të sezonit të dimrit dhe një situatë e përshkallëzuar mund ta bie komplet Evropën në një gërdhmadhë të pajustifikuar deri më tani nga lufta Ukrainë/Rusi”.
Shala tha se Kosova me këtë rast nuk duhet të lëshohet në deklarime por duhet që të merren më shumë me përmbylljen e proceseve të brendshme në fushën e sigurisë.
“Kosova në rastin më të mirë nuk duhet fare të lëshohet në deklarime institucionale sepse në rend të parë ne nuk jemi pjesë e NATO apo mekanizmave të tjerë politikë dhe në anën tjetër duhet që të merremi më shumë me përmbylljen e proceseve të brendshme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke mos cenuar raportet më parterin tonë strategjik Amerikën”,
Neni 4 i traktatit të NATO-s mbulon rastin kur një shtet anëtar ndihet i kërcënuar nga një vend tjetër ose një organizatë terroriste. Më pas, 30 shtetet anëtare fillojnë konsultimet formale me kërkesë të anëtarit të kërcënuar. Bisedimet shikojnë nëse ekziston një kërcënim dhe si t’i kundërvihen atij, me vendime të arritura unanimisht.
Megjithatë, neni 4 nuk do të thotë se do të ketë presion të drejtpërdrejtë për të vepruar.
Ky mekanizëm konsultimi është aktivizuar disa herë në historinë e NATO-s. Për shembull, nga Turqia një vit më parë, kur ushtarët turq u vranë në një sulm nga Siria. Në atë kohë NATO-ja vendosi të konsultohej, por nuk ndërmori asnjë veprim.
Por, çka ndryshon neni 4 i NATO-s nga neni 5?
Pas pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, anëtarët e NATO-s, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia nxorën nenin 4. Së bashku me Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë, ato vende janë pjesë e “krahut lindor” të NATO-s, i cili është përforcuar me mijëra trupa nga anëtarët e NATO-s.
Neni 4 është i ndryshëm nga neni 5 i Kartës së NATO-s. Ky i fundit parashtron ndihmën ushtarake nga e gjithë aleanca, nëse një nga shtetet anëtare sulmohet. E vetmja herë që u përdor Neni 5 ishte në vitin 2001 pas sulmeve të Al-Kaedës në ShBA, të cilat vranë më shumë se 3,000 njerëz. Ato u bënë të njohur si sulmet e 11 shtatorit. Kur ShBA-ja më pas sulmoi Afganistanin, NATO-ja dërgoi një mision së bashku.
Traktati i NATO-s vlen vetëm për shtetet anëtare. Duke qenë se Ukraina nuk është pjesë e aleancës, ajo nuk mund të aktivizojë as nenin 4 dhe as 5.