AAK propozon rritjen e pagave për 30% deri në miratimin e ligjit për paga!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)ka mbajtur sot një tryezë diskutimi me temë “Projektligji i Buxhetit të Kosovës për vitin 2023 – Ligji i Pagave”.
Pjesë e këtij takimi më ftesë të AAK-së janë edhe përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve të sektorit publik.
Sipas AAK-së është shqetësuese mungesa e ndarjes buxhetore për punëtorët e sektorit publik.
Kreu i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo parti përmes një amendamenti do të kërkoj rritjen e pagave më mënyrë lineare deri në 30% deri në miratimin e Ligjit për paga.
“Ne kemi mendu që mënyra e vetme për me bë një ndihmese në këto rrethana është amendamenti do të prezantohet në komision. Për mua është totalisht e pa kuptimit që ministri i financave del e thotë që sektori privat t`i rrit pagat. Sektori privat i ka rrit rrogat”- ka thënë Tahiri.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka folur për projektbuxhetin e vitit 2023.
“Është e vërtetë se qeveria thua se është krenare me buxhetin që është 3.2 miliardë por nuk po e bëjnë analizën e inflacionit. Ne kemi insistuar sa i përket miratimit të këtij ligji. Në vija buxhetore nuk ka planifikim për ligjin e pagave”- ka thënë Lekaj.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së Bashkuar te Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj e ka mirëpritur këtë propozim.
Ai tha se ideja qe të ketë një rritje deri në 30% do të ishte ndihmese shumë e madhe për ta.
Në gushtin e këtij viti, mësuesit dhe punëtorët e administratës publike kanë mbajtur grevë disa javore duke kërkuar rritje të pagës prej 100 euro deri në miratimin e ligjit për pagat.