Lajme

Publikohen pamje të reja të aksidentit në Prizren ku vdiqën 3 persona

Tre persona vdiqën të shtunën nga një aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”. Sot, kanë dalë edhe disa video tjera në qarkullim.

Tre të rinjtë, Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, humbën jetën pasi u goditën për vdekje nga veturat që po zhvillonin gara shpejtësie në autostradë. Lidhur me rastin janë arrestuar Arlind Syla dhe Irfan Hoti.

Vëllai i këtij të fundit ka reaguar dhe publikuar në rrjete sociale edhe pamje të reja nga momenti i aksidentit.

Qamil Hoti pohon se gara nuk është organizuar nga vëllai i tij, i cili sipas tij, po ngiste veturën e të ndjerit, Nue Bibaj.

“Personalisht un i njoh të ndjerët dhe shprehi keqardhje se qfar ndodhi ate nat, dhe dua te bej nje sqarim te vogel per vellaun tim. Gara nuk ishte organizu nga Irfani, gara ishte organizuar me post ne nje grup ne facebook nga pronari i makines “Golf 5”. “Nue Bibaj kishte kerkuar qe veturen e tij ta vozit vellau im Irfani, fillimisht Irfani nuk pranon por me insistimin e te ndjerit Nue Bibaj, Irfani pranon qe ta ngiste makinen e tij”, ka shkruar ai në postimin e tij.

Hoti ka mohuar raportimet se i dyshuari Irfan Hoti, i është afruar veturës tjetër dhe i ka penguar qarkullimin. “Un pash qe ne media dhe ne rrjete sociale po flitet qe Irfani i eshte afruar makines golf 5 duke i penguar qarkullimin ne rrug dhe per ate arsye shoferit tjeter i humbi kontrolli ne vetur. Por nuk eshte e vertete”, shkroi ndër të tjera ai.

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy të dyshuarve lidhur me rastin në Prizren, ku si pasojë e garës mes dy veturave, tre këmbësorë gjetën vdekjen./Reporteri.net