Lajme

Ky është personi që e rrahu brutalisht punëtorin e pompës në Pejë për 2 euro false

Gjithçka nisi me një mosmarrëveshje verbale, por punëtori i pompës së benzinës “Molika gas”në Pejë ka pësuar goxha lëndime trupore. Ai u godit disa herë me veturë nga konsumatori që sipas punëtorit posedonte 2 euro false me të cilat tentoi ta kryente shërbimin që mori, raporton Gazeta Sinjali.

Pasi e goditi me veturë e i shkaktoi lëndime për të cilat u nevojit edhe ndihma emergjente, i dyshuari ka braktisur veturën dhe është larguar në drejtim të panjohur.

Sinjali mëson se personi që po kërkohet lidhur me këtë rast është Maxhid Murati, 25-vjeçar, i cili është emër i njohur për organet e rendit për shkak të të kaluarës së tij kriminale.

Po ashtu, sipas burimeve të Sinjalit viktima ka pësuar frakturë në gjunjë.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, duke bërë të ditur se vetura e të dyshuarit është konfiskuar.

“Viktima mashkull kosovar (punëtor në pompë derivatesh) ka pësuar lëndime pasi që i njëjti, dyshohet se është goditur me veturë qëllimisht nga i dyshuari kosovar, dyshohet për shkak të një mosmarrëveshje verbale. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Pejë, ndërsa i dyshuari ka braktis veturën dhe ka ikur në drejtim të panjohur. Vetura është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është në kërkim nga njësitet policore. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori. Rasti duke u hetuar”, thuhet në konfirmimin e Policisë për Sinjalin