Lajme

Rrahje brutale mes nxënësve në Prizren, shoku ia thyen hundën 15-vjeçarit

Përleshjet mes të rinjve janë të shpeshta në vendin tonë dhe ato ndodhin për motive të ndryshme. E në rrahje shpesh përfshihen edhe të miturit, duke bërë që edhe intervenimi i Policisë të jetë i domosdoshëm, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i rëndë ka ndodhur sot në një shkollë fillore në fshatin Planjanë të Prizrenit, ku dy nxënës janë rrahur mes vete, me ç’rast njëri nga ta ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se i mituri është dërguar atje me lëndime të rënda, pasi kishte pësuar frakturë në hundë si pasojë e goditjeve që dyshohet se i kishte marrë nga shoku i tij i shkollës.

Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të mësuar rrethanat se si ka ndodhur ngjarja. Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar viktima dhe i dyshuari. Sipas tyre e gjithë ngjarja ka ndodhur në oborrin e shkollës, teksa klasa po mbante orën e edukatës fizike.

I dyshuari është intervistuar në praninë e prindit, avokatit të tij mbrojtës dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale dhe i njëjti ka deklaruar para hetuesve se ai ka sulmuar viktimën në vetëmbrojtje.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.