Lajme

Nëna ushtron dhunë fizike dhe psikike ndaj fëmijëve, 9-vjeçari nuk dëshiron të jetojë me të

Jo rrallëherë fëmijët janë viktima të dhunës qoftë nga prindërit e tyre apo edhe anëtarë të tjerë të familjes. Në shumicën e këtyre rasteve, fëmijët janë edhe të moshës së mitur, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Kërvasar të Malishevës, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë është arrestuar një grua, e cila po dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj fëmijëve të saj të mitur.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, e dyshuara i ka sulmuar fizikisht ata, për çka është vënë në dijeni edhe Policia dhe si rezultat, nëna është prangosur dhe shoqëruar në stacion policor.

Përballë kësaj situate mjaft të rëndë dhe të frikshme, njëri nga fëmijët ka deklaruar para Policisë se nuk dëshiron të qëndrojë me nënën, për shkak të dhunës.

Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”, teksa fëmijët janë dërguar te disa familjarë të tyre.