Ex Fis-it si ndahet ‘gazepi’, hajnat e amatosur e plaçkitin edhe një pikë në Ferizaj
Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Cak i hajnave shpeshherë është pompa ‘Ex Fis’, e cila shumë herë është përballur me grabitje të armatosura, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, ku në pikën që ndodhet në fshatin Babush të Ferizajt, dy persona të armatosur dyshohet se kanë kryer grabitje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit kanë arritur që të marrin qindra euro nga pazari ditor dhe kanë thyer kasafortën, ku edhe prej aty kanë marrë gjësende me vlerë.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i kompanisë, i cili ka deklaruar se dy të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje ’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.