“S’na han për ty, ta hjekim krytë me sakicë” – Dy persona në Skenderaj kërcënojnë rojën e pyllit
Prerja ilegale e pyjeve mbetet një ndër problemet e vazhdueshme në vendin tonë. Personat të cilat kapen në flagrancë duke prerë pyje që janë në pronësi të tjetërkujt, e shpesh herë edhe në të shtetit, tentojnë të tregojnë forcën me rojet e pyllit.
Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në fshatin Rakinicë të Skenderajt, ku dy persona nga e njëjta familje, dyshohen se kanë kërcënuar me jetë një rojë pylli.
Sinjali mëson se përballë situatës në të cilën u gjend, viktima u detyrua që të denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje të gjithë ngjarjen.
Bazuar në dëshminë e tij, dy të dyshuarit kanë prerë druj në pyllin i cili është në pronësi të shtetit dhe të njëjtit janë kapur teksa po i bartnin ato me traktor. Pasi u zbuluan nga roja i pyllit, dy të dyshuarit e kanë kërcënuar me vdekje atë, duke i thënë se do ia heqin kokën me sëpatë.
Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa drutë janë konfiskuar nga organet kompetente.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.