Lajme

Dosja e prokurorisë | Si funksionone grupi vrasjeve “Porosia”

Krim i organizuar, vrasje e rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lëndim i rëndë trupor, detyrim, zjarrëvënie, privim i kundërligjshëm, si dhe mbajtje në pronësi apo posedim i pa autorizuar i armës, janë disa prej veprave për të cilat po dyshohen lideri dhe Grupi “Porosia”. Përkundër këtyre dyshimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë i’ua ka zbutur masën, nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Gazeta Insajderi ju sjell detaje ekskluzive të funksionimit të këtij grupi.

Porositësi i krejt këtyre veprave po del të jetë sipas prokurorisë Hysni Hoxha, viktimat në këtë rast janë ish-gruaja e djalit, vëllai i saj dhe mbrojtësi i viktimave, pra tre persona.

Çështja kishte të bënte me besimin e kujdestarisë së vajzës që viktima kishte me djalin e të pandehurit Hysni Hoxha.

Hysni Hoxha, bazuar në dosjen e prokurorisë thuhet se kishte angazhuar Driton Sylejmanin, i cili njihet si lideri i grupit për ta frikësuar, sulmuar e tentuar ta vrasë ish-gruan e djalit dhe vëllain e saj.

Përveç Sylejmanit, pjesë e këtij grupi janë edhe Xhevdet Mehana, Tefik Shalaku, Ajet Dajat dhe Fadil Krasniqi.

Për çka akuzohen Hysni Hoxha, Driton Sylejmani, Xhevdet Mehanja dhe Tefik Shalaku?

Në dosjen e siguruar nga Insajderi, Hysni Hoxha, Driton Sylejmani, Xhevdet Mehanja dhe Tefik Shalaku akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Bëhet me dije se Hysni Hoxha kishte angazhuar Driton Syljemanin dhe grupin e tij për t’i kryer një shërbim kriminal.

Kjo pasi Hoxha kërkonte që dhunshëm t’i merrte besimin e fëmijës nga ish-nusja e djalit, në këtë rast viktima F.D (emër i njohur për redaksinë).

“Nga muaji shtator 2022 në Prishtinë dhe në Fushë Kosovë, në vazhdimësi deri me rastin e arrestimit, i pandehuri Hysni Hoxha ndërmerr veprime përgatitore në bashkëkryerje duke angazhuar me të pandehurin Driton Sylejmanin dhe pas ky me të pandehurit Xhevdet Mehanja, Tefik Shalaku, që t’i përcjellin të dëmtuarit: F.D V.D dhe A.L, me qëllim të privimit nga jeta dhe shkaktimit të frikës, në atë mënyrë që, të pandehurit i përcjellin personat e dëmtuar, sepse i pandehuri Hysni kishte një kontest përkitazi me besimin e fëmijës (vajzën e djalit) me të dëmtuarën F.D (ish bashkëshortja e djalit të pandehurit Hysni) dhe në këtë mënyrë të ndikoj në marrjen e fëmijës, e që në këtë rast i përfshijnë duke i vëzhguar edhe vëllain e saj të dëmtuarin V.D, të cilin më datën 14 nëntor 2022 në fsh. Miradi e Poshtme, K. e Fushë Kosovës e sulmojnë duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe mbrojtësin e viktimave A. L, por pasi që të pandehurit ishin nën vëzhgim të masave të veçanta hetimore, intervenojnë Policia dhe i arrestojnë të pandehurit, me çka ka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 par 1 nën paragrafët 1.9, 1.11 dhe 1.13 lidhur me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në dosje.

Pas kapjes së të dyshuarve, policia ka kryer bastisje në pronën e Hysni Hoxhën në shtëpinë e tij, e cila ndodhet në njërën prej lagjeve më të njohura në Prishtinë. Aty iu janë gjetur arsenal armësh.

Sipas prokurorisë, të gjitha këto armë, i dyshuari ka qenë duke i mbajtur në mënyrë ilegale.

“Me dt. 23.01.2023, në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me rastin e bastisjes në shtëpinë dhe objekteve përcjellëse tek i pandehuri, Hysni Hoxha është gjetur se në kundërshtim me ligjin për armët posedon pa autorizim armë edhe atë: një (1) Pistolet Sig Sauer 1911 me numër serik GS90829, një (1) Karikator i pistoletës me mbishkrimin Panted, pesë (5) Fishek me mbishkrimin GECO-AUTO, kalibër 45mm, tre (3) Fishek me mbishkrimin EC .kalibër 43 mm., një (1) Pushke Ajrore me dylbi me mbishkrimin “Diana”, me numër serik: G- 24X50AOE(091707320), katër (4) Paketime (Kutija) me diabolla, kalibër 405mm, Dy (2) Thika me ngjyrë të gjelbërt dhe të zezë, një (1) Parë Dylbi me mbishkrimin ASPECT, me numër serik: 430FT,AT1000YOS, një (1) Fotrollë për armë (pistoletën e lëkurës),një (1) Karikator i pistoletës me mbishkrimin Panted, katër (4) fishekë kalibër 45mm, tre (3) fishekë kalibër 45mm, një (1) Fotrollë për armë, një (1) Pushkë e gjuetisë, me numër serik:LF.AH80449, një (1) Fotrollë për armën e gjuetisë, me dy pjesë të tjera të armës (karabinë), gjashtë (6) Fishekë me mbishkrimin 12-RC12, një (1) Pistoletë me mbishkrimin CZ75B me numër serik:99135, një (1) Karikator i pistoletes CZ, njëzetë e tre (23) fishekë kaliber 9mm (9X19 S-B), një (1) Fotrolle për pistoletë, një (1) Pistoletë me mbishkrimin EKOL- me numër serik:EJ126047, një (1) Karikator për pistoletë Ekol dhe një (1) Fotrollë për pistoletën Ekol, e të cilat arme sekuestrohen nga Policia” “, ceket në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Insajderi.

Me këtë, Hysni Hoxha po akuzohet se ka kryer veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve.

Çka u gjetë në shtëpinë e liderit të Grupit “Porosia”?

Gjatë bastisje së shtëpisë së liderit të Grupit “Porosia”, Driton Sylejmani janë gjetur një sërë armësh.

“Me dt. 23.01.2023, në Prishtinë, në lagjen “Pejton” me rastin e bastisjes në shtëpinë dhe objekteve përcjellëse të pandehurit Driton Sylejmani është gjetur se ne kundërshtim me ligjin për armët posedon pa autorizim armët: edhe atë një Sopat e vogël, një Shkop druri, një Revole, kaliber 7.62mm, me nr. Serik: N7787, Pesë plumba (fishek), kalibër 7.62mm, një karikator i pistoletës dhe një palë Dylbi, e të cilat arme sekuestrohen nga Policia”, thuhet në dosje përcjell Insajderi.

Si rrjedhojë, Sylejmani po dyshohet për veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve.

Në muajin qershor, Policia e Kosovës arrestoi edhe Ajet Dakajn, i cili në këtë grup e kishte vëzhguar viktimën V.D, duke njoftuar të akuzuarit tjerë për vendnodhjen e tij.

“Nga qershori 2023 e deri në ditën e arrestimit në vende të ndryshme, i pandehuri Ajet Dakaj, ka ndihmuar të pandehurin Hysni Hoxha, duke e përcjell te dëmtuarin V.D e me vonë duke e informuar lidhur me vendndodhjen e tij te cilët informata i pandehuri Hysni i ka transmetuar tek te pandehurit Driton Sylejmani, Tefik Shalaku e Xhevdet Mehanaj të cilët ishin angazhuar është me qëllim të privimit nga jeta dhe shkaktimit të frikës të dëmtuarit V.D nga fshati Miradi e Poshtme, Fushe Kosovë”.

Me këto veprime, Ajet Dakaj po dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Ndërkohë, i pandehuri Fadil Krasniqi po akuzohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në tentativë”.

“Nga muaji janar 2023 e deri në ditën e arrestimit në vende të ndryshme, i pandehuri Fadil Krasniqi, i ofron ndihmë në përgatitjen për kryerjen e veprës penale të pandehurit Hysni Hoxha duke i krijuar kushtet ne atë mënyrë që i ka jep informatat lidhur për zyrtarin për mbrojtjen e viktimave, i të dëmtuarin A. L i cili është marr me rastin e të dëmtuarës F.D, e cila kishte një kontest përkitazi me besimin e fëmijës (vajzën e djalit të pandehurit Hysni) e pastaj i pandehuri Hysni me pas ka angazhuar të pandehurin Driton Sylejmani, Xhevdet Mehanja dhe Tefik Shalaku te përcjellët i dëmtuari dhe me pas privohet nga jeta apo të dëmtohet fizikisht”, thuhet në dosje.

Prokuroria bënte me dije se nga ekspertiza mjeko-ligjore, ishte kuptuar se viktima V.D (vëllai i ish-gruas së djalit të Hysni Hoxhës) nga sulmi fizik ishte lënduar në pjesën e kokës me mjet të fortë.

Plagë këto që prokuroria i kishte cilësuar si të lehta “…plagë që si të tilla bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin”.

Çka tha secili Hysni Hoxha e Driton Sylejmani para trupit gjykues?

I pandehuri Hysen Hoxha, në deklaratën e dhënë në Polici dhe në Prokurori, më datë 16 qershor 2023, ka deklaruar se “V.D, e njoh shumë pak, ai është vëlla i nuses së ish të ndjerit Halilit djalit tim, me të jam takuar 3 herë, hera e parë ka qenë kur është bërë fejesa e djalit tim Halilit me motrën e tij, hera e dytë kur është marr nusja, dhe hera e tretë kur kemi shkua për ngushëllime tek një dajë i tyre qe ka vdek”.

Ai ka theksuar se me vëllain e ish-nuses nuk kishte pasur asnjë raport të keq. Derisa e ka akuzuar ish-nusen për presion psikik ndaj djalit të tij tashmë të ndjerë.

Thekson se problemet me nusen e djalit filluar në momentin që i vdiq djali.

“Skam pasur asnjë lloj raporti me të, skam pasur asnjë të keqe me të. Ndërsa F.D, ka qenë ish nusja e djalit tim, e cila ka bashkëjetuar me djalin tim rreth 1 vit e diçka dhe gjatë gjithë kohës ajo ka bërë një presion te jashtëzakonshëm ndaj djalit tim, është larguar disa herë nga shtëpia pastaj përmes një daje të saj me të cilin djali im kishte marrëdhënie të mira, ajo kthehej, personalisht me bashkëshorten time nuk jemi përzier në jetën private të tyre, kam konsiderua që djali im ishte i pjekur i zgjidh problemet vet, por kjo nuk ndodhi fatkeqësisht, sepse pas lindjes së vajzës së tyre, ajo në moshën 5 javëshe e braktisi fëmijën dhe burrin dhe para se të largohej ka marr arin dhe disa mjete financiare dhe është larguar“, tha ai përcjell Insajderi.

“Kjo ka vazhduar deri 18 muaj pas braktisjes kur një dite djali papritmas nga një sulm në zemër vdes dhe në ato momente shumë të rënda të jetës tonë jemi kujdesur për mbesën dhe që nga aty kanë filluar problemet me F.D”.

I pandehuri, Hysni Hoxha ka treguar se i njeh personat e tjerë të përfshirë në rast, por mohon se i ka paguar për t’i kryer ndonjë shërbim. Pothuajse për të gjithë, ka deklaruar se i njeh përmes një personi të tretë.

Në anën tjetër, Driton Sylejmani në polici deklaronte se Hysni Hoxhën e njihte para 6-7 viteve përmes një shoku të tij. E që pastaj, bisedë e sipër ka kuptuar se Hoxha kishte qëndruar edhe me vëllain e tij në Gjermani.

Njësoj sikurse Hoxha nuk e pranonte fajësinë.

“…jemi taku shumë rrallë deri para 2 apo 3 viteve, kemi shikuar me punuar diçka biznes, po pandemia edhe asnjëherë s’kemi mundur me bë kurrgjë, tjetër diçka s’ka pas, skam marr asnjë porosi për me krye ndonjë punë apo diçka tjetër”.

Çka propozonte Prokuroria?

Prokuroria propozonte që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave të pandehurit; Driton Sylejmani, Xhevdet Mehanja, Hysni Hoxha, Tefik Shalaku, Ajet Dakaj, Fadil Krasniqi, të shpallen fajtorë për këto vepra penale dhe të ndëshkohen me dënime meritore sipas KPRK-së.

Përkundër propozimit të prokurorisë, gjykata tashmë iu ka ndryshuar masën nga paraburgimi, të pandehurit i ka dërguar në “masën e arrestit shtëpiak”.

Lideri i Grupit “Porosia”, Driton Sylejmani tashmë është liruar edhe nga masa e arrestit shtëpiak, gjykata vendosi që nga paraburgimi të lirohej dhe të mbante masën e arrestit shtëpiak deri me 29 nëntor.

Ajet Dakaj do të qëndrojë në masë të arrestit shtëpiak deri me 17 dhjetor, ndërkaq të akuzuarit tjerë, Hysni Hoxha, Xhevdet Mehanja, Tefik Shalaku dhe Fadil Krasniqi do t’iu zgjasë masa e arrestit shtëpiak deri me 21 dhjetor.

Gazeta Insajderi ekskluzivisht kishte raportuar për veprimet kriminale të Grupit “Porosia”.

Ditëve në vazhdim Insajderi do të sjell edhe detaje tjera të këtij rasti, çka thanë viktimat dhe pjesëtarët e tjerë të këtij grupi.