Lajme

Policia arreston 11 nxënës të shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, shkuan në gjimnazin “Xhevdet Doda” për t’i qëruar hesapet

Rrahjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme në vend janë rritur me të madhe, dukuri kjo që po shqetëson mësimdhënësit, por edhe prindërit. Një përleshje për pak ka mundur të ndodh edhe sot mes disa nxënësve në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Disa nxënës të shkollës së mesme të lartë “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë pasditen e sotme ia kanë mësyrë gjimnazit “Xhevdet Doda” për të qëruar hesapet.

Drejtori i shkollës së mesme të lartë “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla tha se nxënësit e shkollës së tij nuk ishin të armatosur e as nuk ka pas dhunë.

“Është e vërtetë që 11 nxënës të shkollës tonë kanë qenë jashtë oborrit të shkollës tonë por nuk kanë qenë të armatosur. Policia nuk ju ka gjetë thika as kurrgjë. Veç ua kanë lëshu nga një tiketë i kanë dërgu në stacion”, u shpreh ai.

Gërvalla tha se nxënësve ju është dhënë tiketa sepse “janë gjet në një shkollë tjetër, qenka një nen i ligjit… edhe janë shku me prish rendin e qetësinë publike në një shkollë tjetër pa autorizim”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për Sinjalin se qëllimi i nxënësve ishte për të “zgjidhur një mosmarrëveshje mes tyre”.

“Pas marrjes së informatave se personat në fjalë kishin lënë një takim për të “zgjidhur” një mosmarrëveshje mes tyre, ka qenë reagimi i shpejtë i policisë ai që ka mundësuar arrestimin e 11 personave. Rasti po trajtohet në koordinim me prokurorin e shtetit”, tha Ahmeti.