Gjenden shëndosh e mirë dy vajzat e mitura , nëna flet: Kishin shkuar në Prishtinë për shëtitje
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e kanë kërkuar gjatë ditës së djeshme dy familje në Gjilan, të cilët u alarmuan pasi dy vajzat e mitura humbën kontaktet me ta.
Sinjali mëson se vajzat, e moshave 12 dhe 13-vjeçare, janë gjetur shëndosh e mirë dhe të njëjtat janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe nëna e njërës prej vajzave, e cila pohoi se të miturat kanë lidhje familjare mes vete dhe ato janë gjetur në Prishtinë.
Sipas nënës së të miturës, dy vajzat kanë udhëtuar me autobus për në Prishtinë, ku kanë shëtitur e më pas ato janë hasur nga personat të cilët kanë parë shpalljen ku kërkohej ndihmë për gjetjen e tyre.
“Muj me iu informu që ishin mashtru, kishin shku vetë në Prishtinë, jau ka marrë mendja një shëtitje me ba edhe në Prishtinë atje i kanë gjetë edhe e kanë lajmëru Policinë, edhe tani na kanë lajmëru edhe neve. Janë gjetë shnosh e mirë, me mjekë me krejt i kanë”, tha ajo për Sinjalin.
Më tej nëna e vajzës që u raportua e zhdukur, tha se vajzat kanë kryer të gjitha ekzaminimet mjekësore dhe nuk ka pasur dyshime se ato mund të jenë keqpërdorur nga dikush.
“Gjendja është shumë e mirë, mjekët jau kanë ba komplet atje në Prishtinë, kështu diçka shyqyr jo, me u keqpërdorë diçka nuk ka ndodh. 13 edhe 12. Janë çika të mixhës, janë mashtru, kanë shku në Prishtinë, na se dishim ku janë, mos i ka marrë najkush, qata e qitëm edhe shpalljen se nuk kishim kurrfar shenje prej tyre. Këto kurrkush s’i kish marrë, vetë kishin shku në Prishtinë, i kishin hypë autobusit kishin shku në Prishtinë, ishin shëtitë, mendja e tyne si fmi mo. Po shyqyr gjithçka është mirë, me mjekësi me krejt”, shtoi më tej nëna e të miturës.