Lajme

“Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time”

Vëllau i Liridona Ademajt, ka shprehur mirënjohje për përkrahjen morale që po i japin familjes së tyre.

Ai përmes një postimi në instagram ka shkruar që se bashku me nënën e tij po i përcjellin të gjitha protestat e po ashtu tubimet që po bëhen në komunat e tjera.

Postimi i plotë:

Nuk kemi fjalë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonen dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara.

Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi.

Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time.

Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi.