Lajme

“Fëmijët e Liridonës dhe Naimit mund t’u jepen në përkujdesje ndonjë familjeje suedeze” (VIDEO)

Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor ka bërë bujë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj.

Madje rasti ka shkuar deri në Suedi, kjo për shkak se Liridona ishte edhe shtetase suedeze.

Sipas informatave të deritashme, porositës i vrasjes së Liridonës ka qenë bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Arsyet për këtë krim ende nuk dihen, ndonëse ka shumë spekulime.

Por, çka do të ndodhë me dy fëmijët e çiftit të cilët, sipas familjarëve, kanë vetëm shtetësi suedeze, e jo edhe të Kosovës?

Në një lidhje direkte për KIKS Kosovën, Blerina Syla- Parduzi, e cila punon në Entin për Punësim dhe Integrim në Suedi, tha se sipas ligjit suedez, këta fëmijë që nënshtetësinë e vetme e kanë atë suedeze, mund të dërgohen tek ndonjë familje përkujdesëse atje.

“Kujdestaria është temë shumë e ndjeshme dhe ligji thotë që ajo të i jepet atyre që janë më të mirët për fëmijët. Mirëpo, nëse nuk cilësohet si e duhur që familjet e çiftit të marrin kujdestarinë, në Suedi ka familje që mbajnë në përkujdesje fëmijë kur prindërit kanë probleme, pra kujdesen deri kur ato probleme të zgjidhen”, tha ajo për KIKS-in.

Sipas Syla- Parduzit, meqenëse fëmijët gjenden në Kosovë, kjo procedurë e vendimit se kujt të i takojë kujdestaria e fëmijëve do të jetë më e zgjatur, duke shtuar edhe ndjeshmërinë e rastit. /Klankosova.tv