“Vrasës amator, u mundua t’i zhdukë gjurmët por policia veproi më shpejt”
Refki Morina, nënkolonel i Policisë, tani në pension, ka thënë se në shikim të parë, vrasësi i Liridona Ademajt duket amator.
Në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Morina thotë se i njëjti ndoshta është mundur të gjejë ndonjë mundësi që mbase edhe t’i zhdukë gjurmët, por që nuk ia doli për shkak efikasitetit dhe veprimit të shpejtë të Policisë së Kosovës.
“Në shikim të parë vrasësi na duket amator. Ai është munduar të gjejë mundësi, mënyra, se qysh të nesërmen ai ka menduar ta informojë policinë për rastin, është munduar brenda suazave të gjejë mënyrë tjetër… ndoshta edhe gjurmët t’i zhdukë, por fatmirësisht policia ka vepruar ashtu siç duhet”, tha ai.
Ai thekson se ngjarjet e fundit të ndodhura në vend kanë treguar për një profesionalizëm të Policisë së Kosovës.
“Kemi të bëjmë me një vepër të rëndë penale, me një skandal. Besoj se do të zbardhet ky rast… Është një rast tronditës, policia ka kryer një punë të mirë me profesionalizëm… Rastet e fundit, grabitja në Suharekë, arrestimi i personave, rastit tani, tregon një profesionalizëm të Policisë së Kosovës, një punë sistematike të palodhshme të Policisë së Kosovës”, shtoi ai.
Teksa pyetet se çka mund ta shtyjë një person që të bëjë një akt të tillë, Morina potencon se kjo varet nga personaliteti njerëzor.
“Varësisht nga personi, ka njerëz pak më mendjelehtë, ka njerëz të dhënë pas pasurisë, varet nga personaliteti njerëzor si është krijuar ai, për atë arsye duhet një bashkëpunim i madh i policisë, institucioneve tona me popullatën”, tha më tej Morina.
E në anën tjetër, edhe Mensut Ademi, profesor i kriminalistikës, thotë se kryerësi i aktit është jo profesionist.
“Në Ballkanin Perëndimor ka vrasës me pagesë”
Mensut Ademi, profesor i kriminalistikës, thotë se në Ballkanin Perëndimor ka vrasës me pagesë.
“Në Ballkanin Perëndimor ka vrasës me pagesë sepse 1989-1990-1999, ky vend ka krijuar paraushtarakë, ka krijuar njerëz që e kanë kaluar vrasjen në profesion… Ata kanë një “background” në luftërat e fundit në Ballkanin perëndimor dhe ata kryesisht e kanë si profesion të vetin…”, tha ai.
“Kjo dukuri nuk është që ndodhë tani. Kemi që tri vite që i paralajmërojmë institucionet e vendit. Të merren masa adekuate para se të ndodhë vepra penale, të vijmë me paralajmërime të hershme përmes institucioneve edukative-arsimore. Ai që e ka kryer aktin është jo profesionist, arsyeja pse e ka porosit e shohim se ka lloje të sëmundjeve, neurotik, psikopat, skizofren… I kemi dy problematika, asnjëherë shqiptarët nuk e kanë … të ngrehin dorë ndaj femrës. Shohim se ka një fenomen, probleme mendore… veprimet e personit ka elemente të psikopatit por nuk mund t’i ikë veprës penale, duhet të dënohet”, u shpreh ai.