Lajme

Liridona Ademaj la punën dhe gjithë çka kishte ndërtuar në Suedi vetëm që të ishte bashkë me burrin e saj në Kosovë

Gazeta Sinjali ka raportuar me detaje ekskluzive ecurinë për zbardhjen e vrasjes së rëndë të 30-vjeçares, Liridona Ademaj në natën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë teksa po udhëtonte me burrin e saj, Naim Murseli si dhe fëmijët e tyre.

Gazeta Sinjali raportoi se si i dyshuar për vrasjen e Liridonës u arrestua vetë Naim Murseli dhe Granit Plava i cili dyshohet se u dakordua me Naimin për një shumë prej 30.000 euro për të kryer vrasjen e bashkëshortes së tij.

Pak orë më vonë Gazeta Sinjali mori vesh se i dyshuari i tretë për vrasjen e Liridonës është edhe nipi i Naimit, Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.

Gazeta Sinjali ekskluzivisht mëson se pak kohë para vrasjes së Liridonës, Murseli ishte shpërngulur nga Suedia për të jetuar në Kosovë.

Shpërngulja e tij nga Suedia drejt Kosovës kishte ndodh në muajin qershor. Dy muaj më parë, në Kosovë për të jetuar erdhi edhe e ndjera Liridona.

Ajo erdhi për të jetuar në vendlindjen e saj, me arsyen që mos ta lë të vetëm burrin e saj, të dyshuarin kryesor për vrasjen që tronditi vendin.

E njëjta la punën dhe krejt jetën e saj në Suedi, vetëm dhe vetëm që të bashkohet me burrin e saj – bashkim ky që doli të jetë fatal për të.

Të arrestuarit ngarkohen me veprën penale si në vijim:

Naim Murseli – kryerje e veprës penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”

Granit Plava – kryerje e veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Dhe i pandehuri Kushtrim Kokalla – kryerje e veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë”.