KryesoreLajme

Kush është Naim Murseli, i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij?

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për rastin e vrasjes së Liridona Murselit, vrasje kjo e cila tronditi vendin më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. E ndjera është gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe pas të shtënave me armë, duke lënë të vdekur Liridona Murselin, 33-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se një nga personat e arrestuar është Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, i cili dyshohet për përfshirje në këtë rast.

Hetimet e vazhdueshme të Policisë kanë zbardhur detaje nga skena e krimit, kështu duke rënë në pranga vetë Murseli si dhe i dyshuar tjetër, i cili siç merr vesh Sinjali nga burimet e veta është Granit Plava.

Sipas informacioneve të para, Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti është paguar nga bashkëshorti i saj, tashmë i arrestuar, Naim Murseli.

Sinjali po ashtu mëson se Granit Plava është bashkëfshatarë me Naim Murselin, i cili për ta kryer vrasjen dyshohet se u pagua 30.000 euro nga Murseli.

Por kush është Naim Murseli?

Murseli në Kosovë njihet për angazhimin e tij si pjesë e stafit të ngushtë të kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Me një shikim të shkurtër në profilin e tij në “facebook”, shihen fotografitë e shumta që Murseli ka publikuar nga jetesa luksoze që ka bërë, në Suedi, por edhe në udhëtime të ndryshme bashkë me Pacollin.

Të shumta janë edhe fotografitë e tij me gruan, Liridonën, e cila është varrosur sot në fshatin e saj të lindjes në Gjakovë.

Sipas të dhënave që janë të disponueshme në internet, Murseli e ka kryer edhe shkollën e mesme në Gjimnazin “Agnebergs” në qytetin Uddevalla nga viti 2006 deri në vitin 2009 në Suedi, megjithatë nuk dihet se në çfarë drejtimi.

Pas kësaj, Murseli ka regjistruar Shkollën për Biznes në vitin 2010 për të diplomuar më pas. Nga viti 2011, ai ka punuar në Suedi si shitës dhe agjent i shitjes në kompani të ndyrshme suedeze.

Ai gjithashtu figuron si themelues i një kompani mediale dhe se është marrë edhe me marketing në Suedi.

Naim Murseli [1990] ka qenë i martuar me Liridona Murselin dhe me të ka dy fëmijë.

Për Murselin sot ka folur edhe këshilltari kryesor i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj. Ai për Express ka thënë se Murseli ishte bërë pjesë e stafit të Pacollit por që zyrtarisht s’ka qenë këshilltar.

Sipas Zyberajt, Murseli ka qenë asistent për rrjete sociale për shkak të njojurive që ka pasur në IT

“Jemi te shokuar nga lajmi per vrasjen e rende te nje nene te re. Na Inkurajon fakti qe reagimi profesional dhe efikas i policise ka qene i menjehershem.Murseli ka qene nje djal i ri eshte bere pjese e stafit te gjere te z.Pacolli, por qe zyrtarisht nuk ka qene keshilltar i tij. E verteta eshte se ka qene asistent per rrjetet sociale per shkak te njohurive te IT qe ka pasur dhe i eshte dhene mundesia nga ish presidenti Pacolli. Megjithate rasti i rende qe ka ndodhur duhet te zbardhet dhe pergjegjesit duhet ta marrin denimin kapital”, ka thënë ai