Lajme

Nëna kapet me djalin dhe nusen, 22-vjeçarja e kërcënon me jetë vjehrrën

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E nuk janë të rralla as rastet kur vjehrrat me nuse futen në telashe, raporton Gazeta Sinjali.

Në Polici kanë përfunduar dje anëtarët e një familje në Podujevë, pasi nëna dyshohet se u përfshi në një konflikt verbal me djalin e saj.

Sinjali mëson se në sherr u përfshi edhe bashkëshortja e 29-vjeçarit, e cila dyshohet se ka kërcënuar me jetë vjehrrën e saj.

Pas intervenimit të Policisë, palët janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Sipas burimeve, 22-vjeçarja ka kërkuar nga vjehrra e saj një borxh të mëhershëm dhe më pas e ka kërcënuar se do ta vrasë.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit do të hetohen në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.