Lajme

Këta janë dy vëllezërit binjakë Gashi që u arrestuan pasi e rrahën një 21-vjeçar, të dy ndalohen

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Lipjan, ku janë arrestuar dy vëllezër që dyshohen për rrahjen e një 21-vjeçari, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që përfunduan në pranga si të dyshuar për këtë rast janë Abdullah dhe Muhamet Gashi, të dy 19-vjeçarë, ndaj të cilëve pas arrestimit është lëshuar urdhër për ndalim.

Sinjali mëson se të dyshuarit fillimisht kanë pasur një konflikti verbal me viktimën, që eskaloi më pas në sulm dhe të njëjtit u futën në sherr. Për të mos mbaruar me kaq, dy vëllezërit binjakë dyshohen se edhe ia kanë dëmtuar veturën viktimës.

Pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ka arritur t’i kap të dyshuarit, të cilët janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Hetimet për këtë rast kanë nisur në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, teksa veprimet tjera do të merren brenda afatit ligjor.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që kanë dëmtuar veturën e viktimës mashkull kosovar dhe më pas e kanë sulmuar edhe fizikisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.