Ky është 30-vjeçari i arrestuar për shitblerje të drogës në Gjakovë, u kap duke shitur
Një aksion i Policisë i zhvilluar të mërkurën në rrugën “Musa Zajmi” në Gjakovë, rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës dhe sekuestrimin e një sasie të marihuanës. Ndaj të dyshuarit që u prangos është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe i njëjti është dërguar në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Edison Ademin, 30-vjeçar, i cili është arrestuar në flagrancë, në banesën e tij, ku Policia kreu bastisje.
Me rastin e kontrollit policor, te i dyshuari janë gjetur rreth 10 qese me marihuanë, mbi 100 euro para të gatshme dhe disa telefona – që janë sekuestruar si prova që dëshmojnë se i njëjti merrej me shitblerjen e narkotikëve.
Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
I njëjti po dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge.”
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë dhe kanë bërë me dije se me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.