E tmerrshme: 47-vjeçari tenton ta dhunojë të dashurën pasi e zbuloi që është i martuar, plas sherri në një motel
Ngacmimet, sulmet dhe dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave në Kosovë janë shndërruar në një fenomen shqetësues, pasi që pothuajse çdo ditë raportohen raste të tilla. Të dyshuarit shpeshherë janë persona të afërt me të cilët kanë qenë ose janë në lidhje dashurie. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në një motel në Shkabaj, tashmë është arrestuar një person, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja e trishtë dyshohet të ketë ndodhur të premten në orët e para të mëngjesit, kur pronari i motelit “Venecia” kërkoi ndihmën e Policisë për ta denoncuar një rast që dyshohej se po ndodhte.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se fillimisht kishte plasur sherri mes një çifti që po qëndronte në këtë motel – ku dyshohet se kishin pasur konflikt verbal e që më pas kishte eskaluar.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari B.J., derisa ishte në gjendje të dehur, ishte kapur me të dashurën e tij e më pas kishte tentuar që me dhunë të kryejnë marrëdhënie seksuale me të.
Të njëjtat burime thonë se gjithçka dyshohet se kishte ndodhur pasi viktima e kuptoi se burri me të cilin kishte krijuar lidhje dashurie, qe disa vjet është i martuar.
Debati mes tyre derisa ishin bashkë në motel eskaloi dhe kulmoi me tentativën e të dyshuarit për dhunimin e të dashurës së tij – lidhje kjo jashtëmartesore.
Si rezultat i denoncimit, Policia arriti të intervenojë në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar personi i dyshuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të iniciohet rasti si “Dhunim në tentativë”.