Tre persona të lënduar nga aksidenti zinxhiror në Veternik, dërgohen urgjencë në spital
Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Teksa sot Sinjali raportoi për një tjetër aksident, kësaj radhe zinxhiror, i shkaktuar në Veternik të Prishtinës.
Siç bën të ditur zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, në këtë aksident janë përfshirë tri vetura, ku si pasojë kanë mbetur tre persona të lënduar të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.
“Rreth orës 16:40, në Veternik, ka ndodhë një aksident trafiku ku janë përfshirë tri automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme si pasojë e aksidentit tre persona janë lënduar. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që me rastin po merret njësiti i trafikut”, njoftoi Ahmeti.