Drejtori i Gjinekologjisë flet për rastin e rëndë të nënës në Prishtinë: Ka kryer lindjen në shtëpi
Në media u raportua sot për një rast të rëndë që ka ndodhur në një familje në Prishtinë, ku një nënë që ishte në pritje të ëmbël lindi papritmas në banesën e saj, ku për pasojë foshnja nuk mbijetoi dhe më pas vdiq. Policia ka nisur hetimet, ndërkohë që tashmë është deklaruar për Sinjalin edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë.
Zef Ndreja në një përgjigje për Sinjalin e ka konfirmuar se gruaja nuk ka lindur në QKUK dhe se është pranuar në klinikë, të dielën rreth orës 23:00, ndërkohë që foshnja është transferuar nga mjekët në Klinikën e Neonatologjisë.
Sipas tij, rasti është trajtuar si i dyshimtë dhe menjëherë janë njoftuar organet kompetente.
“Rast social që ka kryer lindjen në shtëpi me dt. 15 dhe është pranuar në KOGj rreth orës 23:00. Foshnja është transferuar menjëherë te kolegët tanë kujdestar në Klinikën e Neonatologjisë. Ndërsa (nëna e foshnjës)po trajtohet në KOGj. Mund të ju informoj se rasti është pranuar si i dyshimtë (rast social )për çka menjëherë janë informuar organet kompetente sipas detyrës zyrtare, të cilët janë duke u marrë me rastin.”, tha Ndreja për Sinjalin.
Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit, ku gruaja u drejtua për në Gjinekologji bashkë me foshnjën e porsalindur.
Por pavarësisht intervenimit të mjekëve, fatkeqësisht, pas disa orësh, fëmija ka ndërruar jetë dhe është njoftuar menjëherë Policia.
Sipas të njëjtave burime, gruaja ka qenë në banesën e saj kur i kanë filluar dhimbjet, si një sinjal i fillimit të procesit të lindjes. Ndonëse akoma nuk dihet se në cilin muaj të shtatzënisë ishte e njëjta, ajo lindi në banesë – situatë kjo që e alarmoi dhe menjëherë familjarët e dërguan në QKUK bashkë me foshnjën.
Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, pra pa u bërë 12 orë nga lindja, foshnja ka ndërruar jetë.
Nga spitali është njoftuar Policia, ndërkohë që njësitet përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para për atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion.