Lajme

I kërkuari nga Policia kapet në Prishtinë, ja çka iu gjend në veturë

Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve.

Një rast i tillë është zbuluar dje në Prishtinë, ku një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Kristo Luarasi’ ka ndalur për një veturë për kontroll.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi i veturës ka rezultuar se është në kërkim policor me urdhëresë të Gjykatës, ndërkohë që i është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Narkotikët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa 24-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.