Lajme

Burri rrah gruan në sy të fëmijës 3-vjeçar, 25-vjeçarja kërkon ndihmën e Policisë

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Mazgit në Obiliq, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se 25-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje, mbrëmjen e së premtes, burri i saj e ka goditur me shuplakë, në sy të fëmijës së tyre.

Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, burri i saj edhe më herët ka ushtruar dhunë, por pas rastit të fundit ajo ka vendosur që ta raportojë në Polici.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për veprën me të cilën ngarkohet.

Sipas të njëjtave burime, i njëjti e ka mohuar se e ka rrahur gruan, duke u arsyetuar se kanë pasur vetëm konflikt verbal.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, ndërsa gruaja është dërguar te familja e saj, aty ku ndihet më e sigurt.