Dhunë në familje në Gjilan: Burri rrah brutalisht bashkëshorten e tij, e bën për spital
Rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë është bërë mjaft shqetësuese. Në të shumtën e këtyre rasteve viktima janë gratë, që përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët e tyre apo edhe familjarë të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe dje pasdite në një familje në lagjen Iliria në Gjilan, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se për shkak të një zënke familjare, 31-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij duke e përplasur për muri. Si pasojë e dhunës së përjetuar, 41-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje gjithë atë që ka ndodhur, duke treguar gjithë tmerrin që përjetoi brenda mureve të shtëpisë ku jeton bashkë me personin që zgjodhi të kalojë jetën.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion të Policisë, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.