Kryesore

E trishtë: I mbijetuari i masakrës së Dubravës vdes tragjikisht, u gjet pa shenja jete në bunar

Një rast i rëndë ka ndodhur në familjen Sylkaj në fshatin Abri e Epërme në Drenas, ku u gjet i vdekur 50-vjeçari që ishte zhdukur për disa ditë. Vdekja tragjike e viktimës ka aktivizuar organet e rendit, që tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë përish të burgosurin e burgjeve të Dubravës e Nishit në vitin 1999, Ismet Sylkaj.

Sylkaj, i cili kishte marrë trauma psikike nga torturat që paramilitarët serbë ushtruan ndaj tij, humbi jetën në rrethana të dyshimta dhe u gjet në ditën e tretë prej kur ishte larguar nga shtëpia.

Persona të afët me familjen kanë thënë për Sinjalin se në mbrëmjen e së hënës, jo fort larg shtëpisë, një familjar i të ndjerit i gjeti rrobat dhe gjësendet e tij në afërsi të një bunari.

Rasti u denoncua menjëherë në Polici dhe njësitet përkatëse dolën në vendin e ngjarjes, ku edhe është nxjerre trupi i pajetë nga bunari.

Ekipi mjekësor e ka konstatuar se viktima ishte pa shenja jete dhe më pas trupi është dërguar në IML për obduksion.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, Policia ka sekuestruar një thikë që është gjetur në atë lokacion, ku vdiq Sylkaj.

Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia, me ç’rast është bërë e ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.

Sylkaj ka lënë pas bashkëshorten dhe katër fëmijët.

Ai është varrosur të martën në lagjen Sylkaj, në fshatin Abri.