Këta janë 4 të dyshuarit që u rrahën në një lokal në Prishtinë, njëri e goditi veten aksidentalisht me thikë
Katër persona janë arrestuar pasi dyshohet se janë përfshirë në një përleshje që ka ndodhur të shtunën në një kafeteri në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur mes vete. Njëri nga të dyshuarit aksidentalisht e ka goditur veten me thikë dhe është dërguar në QKUK për trajtim, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit që përfunduan në pranga si të dyshuar për këtë rast janë Avni Mirena, Labinot Berisha, Arton Dibrani dhe Xhelal Kurti, ndaj të cilëve është lëshuar urdhër për ndalim.
Sinjali mëson se të dyshuarit fillimisht kanë pasur fillimisht një konflikt verbal, që eskaloi më pas në sulm dhe të njëjtit u rrahën mes vete.
Pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ka arritur t’i kap të dyshuarit, të cilët janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Hetimet për këtë rast kanë nisur në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, teksa veprimet tjera do të merren brenda afatit ligjor.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar të cilët pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht në mes veti, ndërsa i dyshuari i katërt i përfshirë në rast, dyshohet gjatë përleshjes aksidentalisht është vet-lënduar, pasi kishte në posedim një mjet të mprehtë-thikë dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar.”, thuhet në njoftim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.