Bieber: Serbia qëllimshëm e ka tensionuar situatën në Veri, kthimin e serbëve në institucione do ta shet si kompromis
Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Grazit, Florian Bieber ka thënë se Serbia qëllimshëm e ka tensionuar situatën në Veri për ta larguar vëmendjen nga plani franko-gjerman, që sipas tij është de-facto njohje e Kosovës.
Bieber vlerëson se kriza aktuale është artificiale.
“Është pjesë e lojës deri diku, konflikti në të cilin jemi tani. Dhe është një krizë artificiale, siç e dimë, ndodh rregullisht në rajon dhe gjithçka varet nga vullneti i liderëve politikë, veçanërisht në Serbi. Unë mendoj se lëvizja që (serbët) po tërhiqen nga institucionet e Kosovës është një lëvizje mjaft ekstreme dhe më duket se është pjesë e negociatave, sepse kështu negociohet, krijohet një krizë edhe më e madhe dhe pastaj qetësohet dhe pastaj bëhet pjesë e marrëveshjes. Pra, Serbia do t’ua shesë kthimin institucioneve të Kosovës si kompromis”, thekson Bieber për Zërin e Amerikës.
Ai pohon se nuk është e qartë se cili është qëllimi përfundimtar i Serbisë në negociatat me Kosovën.