Lajme

Ekskluzive: Ky është shoferi i ‘Skorobishta Trans’ në Prizren që dyshohet se sulmoi inspektorin komunal (FOTO)

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një incident që ka ndodhur dje në rrugën “Rrustë Kabashi” në Prizren, ku një inspektor komunal dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një punonjës i kompanisë ‘Skorobishta Trans’. I dyshuari tashmë është arrestuar dhe ndaluar, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Allnes Shabani, 41-vjeçar, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas informacioneve të para, punëtori i kompanisë ‘Skorobishta Trans’ fillimisht nuk i është bindur urdhrave të inspektorit komunal, Zekë Tejeci, e më pas ka eskaluar në dhunë fizike.

Foto: Inspektori Zekë Tejeci

Bazuar në dëshminë e inspektorit, i dyshuari ka tentuar ta godiste me autobus atë dhe më pas sherri ka eskaluar, për çka i njëjti ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Kemi një person i cili ndalohet për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në lidhje me sulm ndaj të autorizuar zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare. Në këtë rast bëhet fjalë për një inspektor të Komunës, i cili ka qenë në kryerje të detyrës zyrtare dhe nga i dyshuari është sulmuar. Hetuesit e stacionit policor në Prizren bashkë me Prokurorinë e Shtetit kanë nisur hetimet dhe po e trajtojnë si rast ‘Sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.