Lajme

Plas sherri për pronë në këtë fshat të Drenicës: 59-vjeçari sulmon fizikisht familjarin, përfundon në ndalim

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, e madje të përfundojnë edhe tragjikisht, siç ka ndodhur në Gjakovë, ku u vranë dy vëllezër. Të tilla raste zakonisht nisin me zënka e konflikte verbale, e më pas eskalojnë edhe në përleshje e kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në fshatin Baicë të Drenasit, ku dy anëtarë të familjes Kiqina janë futur në sherr me njëri-tjetrin.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se njëri prej tyre po dyshohet se ka sulmuar fizikisht anëtarin tjetër të familjes, për shkak të një prone, që u bë mollë sherri mes tyre dhe kaloi në dhunë.

Përballë kësaj situate, dikush nga familja ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar atë që ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur informacionet e para për rastin.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.