Lajme

Si u fut armatimi dhe si u filmua grupi terrorist serb në veri, ish-ushtaraku Quni zbulon detaje

Deputeti i LDK-së Anton Quni, si një ish-ushtark, ka komentuar sulmin e terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit, ku dha mendimin e tij se si ka mundur të futet në Kosovë i gjithë armatimi i terroristëve serbë, teksa shtoi se filmimi i grupit terrorist serb është vendimtar në sqarimin e situatës, raporton Gazeta Sinjali.

Ai ka thënë se qëndrimi i Serbisë se nuk kishte njohuri për këtë sulm, është qëndrim naiv dhe i papranueshëm, duke argumentuar këtë se alteria e armatimit e cila tashmë në pjesë të mëdha është kapur nga Policia e Kosovës, nuk kishte se si t’i binte në dorë ndryshe terroristëve serbë veçse nga institucionet e Serbisë.

Pyetjes se si hyri i gjithë ky armatim brenda territorit të Kosovës, Quni iu përgjigj duke thënë se këto njësi të përgatitura nuk e kanë problem inflirtimin, të cilat e shfrytëzojnë uljen e vëmendjes së KFOR-it e Policisë Kufitare për të hyrë në territor, me ç’rast shtoi se momentalisht nuk duhet fajësuar asnjëra nga to.

“Organet e hetuesisë shumë shpejt do ta kuptojnë a ka ndodh kjo për një periudhë të shkurtë, tërë ajo makineri a ka qenë së bashku, apo me ditë e me javë është bërë grumbullimi, d.m.th ekzistojnë forma të ndryshme. Por, ajo pjesë e territorit mundëson lëvizjen e maskuar të grupeve të vogla. E pamë që kanë në posedim edhe dronë, teknologjia e mundëson që të shihet terreni, a është KFOR-it, a është Policia, si janë reshjet atmosferike, dhe kur vëmendja është më e vogël ata i shfrytëzojnë ato momente për t’u infiltruar. Inflirtimi nuk është ndonjë problem për njësit e përgatitura”, tha ai në Kanal10.

Ai ndër tjera tregoi edhe se si u filmuan terroristët serb në veri.

“Po besoj që aty ka pas shumë drona dhe është e natyrshme që ka pas shumë drona edhe të KFOR-it edhe të Policisë, edhe të partnerëve tanë. Ka pasur edhe vëzhgime nga satelitët me të cilët janë siguruar informatat për lëvizjen e tyre”, tregoi ish-ushtaraku, Anton Quni.