Kapet pas tre muajsh në arrati i dyshuari për vrasjen në tentativë te parkingu i ‘Albi Mall’
Një aksion i Antidrogës në parkingun e qendrës tregtare ‘Albi Mall’ në Prishtinë ditën e 23 qershorit u përcoll me incidente, ku si pasojë një rreshtere e Policisë së Kosovës kishte mbetur e lënduar. Lidhur me rastin ishte arrestuar 27-vjeçari, Përparim Rama, teksa organet e hetuesisë morën të gjitha veprimet hetimore që të identifikojnë dhe të arrestojnë personat tjerë të dyshuar.
Një i dyshuar i cili po shijonte lirinë nga arratia tash e tre muaj, është identifikuar dhe është arrestuar gjatë ditës së djeshme. Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për 30-vjeçarin, Florent Duriqi.
Duriqi është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.
Si ka ndodhur e gjithë ngjarja?
Njësiti i Antidrogës ka zhvilluar të premten e 23 qershorit një aksion në parkingun e ‘Albi Mall’ në Prishtinë, ku fillimisht është vërejtur një veturë luksoze nga e cila ka dalë një person.
Burimet bëjnë me dije se posa Policia ka tentuar që të intervenojë dhe ta bllokojnë veturën teksa kanë urdhëruar të dyshuarit që të ndalen, personi që ka qenë duke drejtuar automjetin ka vozitur në përpjekje që të ikë.
Si pasojë e kësaj, ai ka goditur zyrtaren policore e cila po merrte pjesë në aksion dhe e njëjta më pas është transportuar për në spital.
Gjatë gjithë këtij aksioni, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, por që të dyshuarit fillimisht kishin arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.